Kategori
Kinofigurimi

Taksirat parti nga Sezgin Boynik

Artikulli që paraqesim më poshtë është shkruar nga Sezgin Boynik në vitin 2007 dhe është botuar në faqet zyrtare ditore të Festivalit të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër- Dokufest, doku daily.

Sezgini e përshkruan një periudhë të rëndësishme të Kinemasë Lumbardhi. Skena zhvillohet në atë që sot njihet si dhoma e gjelbër për takime, e cila dikur ishte një byfe, më vonë e shndërruar në kafe-bar, ku personazhet e studiuara me kujdes në artikull – disa prej të cilëve punonin në kinema – rrinin bashkë çdo mbrëmje për shumë vite, derisa prona e kinemasë u kontestua, me synimin që ajo të kthehej në një parking.

Më shumë sesa thjeshtë një shkrim nostalgjik, ky është dokumentim i njerëzve të padukshëm deri më atëherë, të cilët u kujdesën për kinemanë dhe ishin arkivat e gjalla të dekadave të funksionimit të brendshëm, të përditshëm të Lumbardhit. Ajo që Sezgini e quan ‘modernizmi provincial ’i këtij grupi burrash të moshuar, për ta dalluar nga një qasje më klasiste, ishte në fakt një grup i të dëbuarve në të cilët Sezgini dhe miqtë e tij gjetën një pasqyrë se si e perceptonin veten në Prizren.

Termi nënçmues ‘qyli’ (fshatar, katundar) i përdorur këtu më shumë për ta theksuar qëndrimin e egër ndaj kinemasë se sa për të bërë një dallim nga ‘kasabali’ (qytetar, i civilizuar), është ngulitur thellë në mentalitetin e Prizrenit, por për fat të mirë po zhbëhet ngadalë, me daljen në pah të një kuptimi më të nuancuar të të dy emërtimeve. Shkrimi është i mbushur me përshkrime të personazheve lokale dhe elemente karakteristike që e sjellin atë më afër zhanrit letrar të letërsisë jofiktive. ‘Partija e taksiratlijve’ është një dokument i pasur i një periudhe specifike të Lumbardhit që ne jemi të kënaqur ta kemi në duar me ngjyra kaq të gjalla.

TAKSIRAT PARTI

Kushtuar Babo-s dhe Xhabirit. 

Ky është një tregimi sociologjik dhe antropologjik për një komunitet shumë interesant të Prizrenit, i cili së shpejti do të zhduket. Tregimin nuk do ta rrëfej në mënyrë bajate dhe akademike, pasi që nuk kemi kohë për me i ra rrotull derisa çështja është aq akute. Ky është një tregim për njerëzit, të gjithë më të moshuar se 60 vjeç, të cilët regullisht janë mbledhur në byfenë e Kinemasë së Prizrenit deri në orët e vona duke diskutuar gjithçka rreth Prizrenit, Kosovës, botës, dhe gjërve të tjera. Unë bashkë me shokët e mi u njoftuam me ta në Dokufestin e vitit 2004, duke u kënaqur me birrat e tyre të lira, të ftohta, dhe të mëdhaja në shishet e Nikshiqkos. Këto birra qenë edhe arsyeja pse u fjalosëm me disa veta prej Doku-s dhe që bashkë me Valdrin Prenkajn ta krijojmë dhe shpërndajmë zinën e quajtur “Fantazin”, të cilin njerëzit do ta kujtojnë si skandalin e vogël të festivalit dhe një eksperiment shumë interesant prej nëntokës (underground-it). Po ky është një tregim tjetër. 

Gjysmë litri birrë e ftohtë e Nikshiqit prej 50 centësh ishte arsye e mjaftueshme pse filluam me i mërzitë pleqtë e byfesë së Kinemasë. Në atë kohë Mali i Zi ende nuk ishte shtet i pamvarur, dhe birrat e Nikshiqit nuk mund të piheshin kërkund tjetër përveç se këtu. Thënë në mënyrë shkencore, birra e Nikshiqit në atë kohë nuk ishte ‘politikisht korrekte’ në lokale tjera. Kur filluam të shkonim në byfenë e Kinemasë edhe pas Dokufestit, e vetmja arsye ishte të nxeheshim para daljes në qytet dhe në klubet e natës. Por gjithnji e më shumë, byfeja filloi të na dukej më tërheqëse se klubet të cilat na u shndërruan në vende të mërzitshme dhe konzervative, ku njerëzit argëtoheshin për të njiqindmijtën herë me tingujt idiotikë të Red Hot Chilli Peppers apo Depech Mode, si dhe ndonjëherë të Nick Cave. Ky pasivitet infektues i përsëritjes na bëhej gjithmonë e më i padurueshëm kështu që ngadalë filluam të rinim në byfe tërë kohën dhe prej aty shkonim drejtë e në shtëpi, pra jo në qytet si zakonisht. Kështu byfeja u shëndrrua në underground-in e vetëm të jetës sonë të natës. 

Ndjej obligim t’ua sqaroj lexuesve dhe lexueseve se përse për ne kinemaja u bë kaq e rëndësishme. Natyrisht që birra e Nikshiqit nuk ishte arsyeja kryesore e kësaj; arsyeja e vërtetë ishte grupi joformal i quajtur Taksirat Partisi apo Partija e Taksiratlijve, gjegjësisht Partija e të Pafatëve, të cilët për çdo natë, llafosnin nën përcjelljen e birrave, letrave dhe thashethemeve. Tregimet e tyre përplot me anegdota interesante, ironia e tyre, mahitë e paturpshme dhe të gjalla, si edhe bisedat pa fund, qenë vërtetë damarët e jetës së qytetit që di t’i kujtoj bashkë me shokët e mi me të cilët shkonim aty. 

Tash pak antropologji. Inicimi. Inicimi në Partinë e taksiratlijve zhvillohej kështu: me të mbërrijtur, ata e njoftonin të porsaardhurin (në rastin tonë mua dhe shokët e mi) me rrëfimin e tyre fiktiv mbi qytetin ashtu që në detale interesoheshin se cilës familje i takojmë, çka punojmë dhe ku jetojmë. Nëse i përshtateshe kartografisë së tyre të qytetit të cilën ata e quanin ‘kasabali’ (qytetar), atëherë gjithçka ishte në rregull dhe mund t’i bashkangjiteshe bandës. Kasabali nënkuptonte së pari, se jetoje në qytet, dhe së dyti që kishte sjellje prej qytetari, që i binte se nuk silleshe si ‘qyli’ (katundar), pra nuk ishe koprrac, dije të argëtoheshe, të jetoje, i doje udhëtimet, dije të notoje dhe të haje ushqim të mirë. Natyrisht që kjo është filozofi mikroborgjeze, por në Prizren kjo do të thotë modernitet provincial. Nëse ndonjë lexues i Filozofisë së Pallankës (filozofisë provinciale, në fjalët e filozofit Radomir Konstantinović), do t’i referohej Partisë së taksiratlijve në kinema, do të bindej në krejtë vërtetësinë e këtij libri dhe do të mund ta vërtetonte shkencërisht anatominë e mendimit provincial. Kështu pra, sipas teorisë së Partisë së Taksiratlijve, nuk ishte me rëndësi vetëm të jetoje në qytet, por edhe të silleshe si qytetar, ashtu si e shpjegova më herët. Hyshiti jetonte në qendër të qytetit, por nuk kishte asnjë cilësi prej qytetari, prandaj edhe njihej si katundar. Ai ishte tipi më jotërheqës në krejtë partinë. Ishte i mërzitshëm, si katundar. Anëtarët e Partisë së Taksiratlijve dinin gjithçka për qytetin. Me precizitet kadastral, i dinin të gjitha adresat (e vjetra) dhe lokacionet e shtëpive, të gjitha fshehtësitë mes familjeve dhe një leksikon të tërë të rrëfimeve të patreguara. Për ne, shumica e këtyre tregimeve ofronte një përjetim krejtësisht të ri të qytetit. 

Rituali. Kështu fillonin tregimet: Ngjante gati për çdo natë që Valoni ta sjellte në byfe afishin e të sapovdekurit, të shkëputur prej banderës. Këta të partisë, detalisht e analizonin atë dhe i tregonin Valonit kur dhe prej nga niset furnerali të cilin ai e përcjellte deri në varreza për çka edhe fitonte ndonjë pare. Kjo ishte ndodhia e tij kryesore. Ndërsa për partinë ky ishte shkas për fillimin e ndonjë analize, natyrisht analizës së të ndjerit që kishte ngjarë të vdiste. Valoni ishte fenomeni i vërtetë i partisë së kinemasë. Si person me nevoja të veçanta dhe me kufizime, ai nuk fliste kërkund tjetër përveç në kinema. Aty komunikonte për gjithçka me Xhabirin, i cili ishte i vetmi që e kuptonte gjuhën e tij (fjalori i Valonit ishte krejtë ndryshe; për të gjitha gjërat kishte emërtime të tjera. Ndësa Xhabiri përveç tri gjuhëve zyrtare të Prizrenit, e fliste edhe gjuhën rome, dhe gjuhën e Valonit!). Valoni kishte emra të ndryshëm për çdokë: ‘Mongol’, ‘Ybe’, ‘Pope’…, ndërsa mua më thërriste ‘Rambo’. Xhabiri na tregoi se një profesor i defektologjisë, njëfar psikologu, përnjëmend ishte habitur kur e kishte parë Valonin se si fliste në kinema, pasi që në shkollë ishte memec.

 Natyrisht kishte edhe rituale dhe tregime të tjera. Më intriguese ishin tregimet që na tregonte i ndjeri Babo (ose Motori). Ai kishte luftuar me Italianët kundër Partizanëve, por shumë shpejtë kjo i ishte mërzitë edhepse kishte arritur ta mësonte italishten. Interesant ishte edhe tregimi i udhëtimit të tij në Malmo të Suedisë. Ai vazhdimisht tregonte për urën e madhe dhe lakrën që e kishte parë në një park atje,  por që nuk kishte mundur ta marrë me vete (për çka disi ndjehej keq). Babo ishte kryeshefi i Partisë. Numri një i grupit TNT, ashtu edhe e quanim. E gjithë partija ishte si Alan Ford-i. Anëtarët e tjerë të Partisë ishin Xhabiri (menaxheri), Haxhi Boza, Abdullahu, Erani (anëtari më i ri), Byka Tada dhe Hyshiti. Ne natyrisht nuk ishim anëtarë, por i çmonim që na pranonin në byfe gjithmonë me mirëseardhje, si dhe për kënaqësinë që na afronte kjo shoqëri interesante, tani në zhdukje e sipër. 

Këtu nuk do të doja të dukesha si ndonjë romantik me nostalgji në fatalitetin tim konzervativ; pasi që arsyeja e këtij shkrimi është krejtësisht tjetër madje mund të thuhet edhe politike. Ky tregim është krejtësisht kundër vendimit idiotik për rrëzimin e kinemasë, vendim i cili do ta shkatërrojë manifestimin e vetëm kulturor në Prizren (Dokufestin) dhe që tashmë e ka shkatëruar Partinë e Taksiratlijve. Ky vendim u shkon për shtati vetëm njerëzve të cilët partija i quan “qyli” apo “ata të cilët nuk dijnë asgjë për qytetin dhe mendojnë vetëm për pare”. 

Nota bene nga Sezgin Boynik

Redaktorët e BLLOGU-t të Lumbardhit më pyetën kohëve të fundit nëse mund ta ribotonin Taksirat Partisi – Partija e Taksiratlijve si një kapsulë dhe dokument të kohës, gjë me të cilën unë u pajtova. Ky shkrim duhet lexuar pikërisht ashtu. Duke marrë parasysh vendosjen e spikatur në blog, unë ndiej një detyrim të shtoj disa sqarime të mëtejshme.

Shumë shpejtë pasi u botua të parën herë, unë e mohova tekstin dhe u distancova plotësisht nga argumentet e tij. Megjithëse jo nga fryma e tij. Ky tekst është shkruar me ngut; nëse më kujtohet saktë, në një bar, në mes të gjithë zhurmës së Dokufestit. Është produkt i një kombinimi të politikës, pank-ut dhe libidos. Në të vërtetë, unë e shkruajta atë, por ishte një destilim i hutive, kontradiktave dhe dëshpërimeve kolektive që të gjithë i ndjenim në atë kohë. Ishte, nëse më kujtohet saktë, 2006 ose 2007. Të gjithë ishim të dëshpëruar nga fakti që ky komunitet i njerëzve të moshuar, duke jetuar plotësisht jashtë kthetrave të konsumizmit dhe neoliberalizmit, së shpejti do të zhdukej. Dhe bashkë me ta e gjithë kinemaja dhe çdo vend tjetër që nuk po gjeneronte më para.

Në tekst, unë gabimisht akuzoj “fshatarët” si përgjegjës për plaçkitjen e institucioneve të tilla publike dhe për shkatërrimin e hapësirës publike që ndodhi pas mbërritjes së mijëvjeçarit të dytë. Kjo duhet të korrigjohet; privatizimi, plaçkitja neoliberale, urbanizimi i egër dhe përvetësimet e paligjshme nuk ndodhën spontanisht, ato nuk ishin rezultat i kleptomanisë primitive, dhe kjo nuk ishte për shkak të lakmisë së pangopur të fshatarëve të varfër. Ishte rezultat i kalkulimeve dhe ndarjeve të organizuara mirë, duke përfshirë njerëz me gradë Master dhe Doktoraturë, anëtarë të bordeve ndërkombëtare të ndërtimit, qytetarë të respektuar dhe të pasur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.