Kategori
Kinofigurimi

Kino: Intervistë me Vladimir Miladinović

Mes datave 19 korrik- 11 gusht të vitit 2019, Vladimir Miladinoviç, artist me bazë në Beograd, bëri një ekspozitë të quajtur “Kino”, me materialet arkivore të gjetura në kinemanë Lumbardhi. Gjatë vitit 2020, ne bëmë një intervistë me të, ku ai foli për praktikën e tij artistike dhe për përvojën e tij gjatë prodhimit të “Kino”.

A mund të na flisni për formimin tuaj artistik dhe politik?

Pasi mbarova shkollën e mesme të artit, vendosa t’i filloj studimet në fakultetin e arteve të aplikuara ku u magjepsa me muralet bizantine. Gjithmonë kam ëndërruar të bëhem piktor, por shumë shpejtë pasi mbarova fakultetin fillova me studimet e doktoratës në Universitetin e Arteve në Beograd. Mund të them se ky studim më ndihmoi shumë për t’i formuar pikëpamjet e mia artistike dhe jo për të parë vetëm përmes këndvështrimeve vizuele, por për të menduar teorikisht. Kjo më çoi drejt formimit të pikëpamjejeve shumë të forta politike në art, që akoma kanë rëndësi në të gjitha hapat e prodhimit tim artistik.

Praktika juaj artistike merret gjerësisht me materialet arkivore dhe krijon një “sferë publike” për narrativën zyrtare të konflikteve post-jugosllave. Me këtë horizont politik në mendje, ju keni ri-aktualizuar fragmente nga dokumente arkivore të kopjuara me dorë. Puna juaj në “Katër Fytyrat e Omarskës” është shumë mbresëlënëse në këtë kuptim, pasi ajo përmbledhë një mori dokumentesh (klipe gazetash, shkrime hulumtimesh, skica) në mënyrë që të tregojë një histori të dhunshme, shpesh të shtypur. A mund të na tregoni më shumë rreth procesit të hulumtimit të punëve tuaja?

Angazhimi im në grupin Katër Fytyra të Omarskës (KFO) ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për atë që do të vijë më vonë. Unë isha duke punuar me njerëz të jashtëzakonshëm dhe pata fatin të takoja shumë njerëz që tërë jetën e tyre ia kanë dedikuar angazhime të caktuara. Kjo më mësoi të mendoj politikisht, të jem i vetëdijshëm për etikën e artit. Në anën tjetër unë gjithmonë isha i hipnotizuar me mbledhjen, ruajtjen dhe gërmimin e koleksioneve të vjetra të dokumenteve, listave, hartave, imazheve etj. Paralelisht me angazhimin tim në KFO, po drejtoja hetimet e mia. Arkivat e mia personale tashmë ishin të pasura me materialin i cili më vonë bëhet kyç për disa nga veprat e mia të ardhshme, të cilat ende jam duke i zhvilluar. Fillova me materialin themelor, të tillë si një arkiv i gazetave të vjetra, por më vonë ai u zhvillua në arkivat më serioze të gjykatës dhe shtetit. Në varësi të materialit burimor që jam duke hulumtuar, rezultati është gjithmonë i ndryshëm. 

Cila është lidhja juaj me teknikën e kopjimit? Çfarë lloj mundësishë hapë kopjimi me dorë për temat specifike me të cilat merreni? Duket se ekziston një tension kohor në punët tuaja, pasi ju mund ta ngadalësoni përfaqësimin e shpejtë dhe momentet e harruara dhe të shtypura përmes shtjellimit tuaj artistik.

Procesi i leximit dhe hulumtimit ishte një pjesë e rëndësishme e vetë punës dhe unë doja ta bëja të dukshëm rezultatin e këtij procesi, kështu që fillova ta rishikoj materialin që po e studioja. Nëse lexoni diçka që është shqetësuese, ndjeni vështirësi. Mua më pëlqen ta bëj këtë edhe më të pranishme, kështu që fillova ta përsëris ngadalë përmbajtjen, shkronjë pas shkronje, faqe pas faqeje. Në mediumin e vizatimit ekziston një potencial i caktuar, në veçanti në kohën e prodhimit super të shpejtë të përmbajtjes dixhitale që ne arrijmë ta përballojmë dhe perceptojmë, vizatimi është pothuajse aq subversiv sa mund të jetë. Unë krijova një teknikë të thjeshtë. Ajo përmbanë transferimin e materialit të saktë në letër, pastaj vizatoj me ngjyrë të zezë dhe furçë duke i mbuluar kështu gjurmët e kopjes. Ky është një proces shumë i ngadaltë dhe meditues. Kaloj orë të tëra në studio duke punuar për një pjesë. Duke pasur parasysh se materiali burimor shpesh ka përmbajtje shumë të  negociueshme ose të shtypur, mund të them se kjo punën time e bënë është më të vështirë ndonjëherë, pasi duhet të jesh brenda kësaj përmbajtje njëqind për qind që të mos bësh ndonjë gabim.

Në vitin 2016, ju hapët ekspozitën tuaj të parë solo në Kosovë të quajtur “Drejtimi përmes Vizatimit” si pjesë e programit vjetor të ekspozitës së Qendrës për Art Bashkëkohor në Prishtinë- Stacion. Bazuar në dokumente burokratike, lista dhe materiale të tjera arkivore rreth varrezës masive të Bajtajnicës. A mund të na flisni më shumë rreth procesit të prodhimit të këtyre veprave, ekspozitës dhe pritjes së saj?

Kjo ekspozitë ishte vërtet e rëndësishme për mua, por në të njëjtën kohë shumë e vështirë. Ishte ekspozita ime e parë në Prishtinë dhe isha shumë i shqetësuar për gjithçka. Kisha mbështetje të madhe nga Qendra për Art Bashkëkohor- Stacion, e cila, për qëllimet e kësaj ekspozite, rinovoi këtë klub të bukur të vjetër boksi. M’u ofrua edhe  pak ndihmë nga disa institucione dhe ne e përdorëm këtë për të ndërtuar një hapësirë të bardhë vërtet të bukur përbrenda hapësirës së brendshme të rrënuar, që mesa e di është akoma në përdorim, gjë që e bën edhe më të rëndësishme këtë ekspozitë.

Puna që po ekspozoja kishte origjinë nga një seri e punëve të mia të mëparshme, kryesisht të lidhura me kërkimin arkivor që bëra në arkivat e gjykatës së Hagës. Ishte pjesërisht për zhvarrosjet e bëra në 2001 në Beograd rreth të cilave kam bërë shumë punë, por kishte edhe disa punime të tjera si për shembull ato lidhur me reklamat e sistemit bankar të përkrahura nga shteti në vitet 90-të të cilat ndihmuan për të vjedhur para nga njerëzit dhe për të udhëhequr luftën në ish-Jugosllavi.

Duke folur për perceptimin, unë isha i intriguar që publiku në Prishtinë nuk kishte shumë më shumë njohuri në lidhje me varrezat masive ë Batajnicë se sa njerëzit në Beograd, për shembull. Kjo ishte diçka që nuk e prisja kurrë. Në anën tjetër, ndërsa isha tashmë në autobus për në Beograd, mora një telefonatë për të prezantuar përvojën time në Qendrën Kulturore REX në Beograd. Ishte një lodhje që zgjati mbi 6 orë. Të gjithë kishin diçka për të thënë. Ende nuk e di se për çfarë ishte ky diskutim.

Vitin e kaluar ju hapët ekspozitën tuaj të quajtur “Kino” te Lumbardhi dhe më vonë në Kombank Dvorana, pas një hulumtimi në arkivin e kinemasë. Ekspozita paraqiti një konstelacion të fragmentuar dhe shumë shtresa nga arkivi i Lumbardhit. A mund të na tregoni më shumë rreth procesit të hulumtimit dhe ekspozitës në Prizren dhe Beograd? Cilat janë mendimet tuaja në lidhje me politikën e kësaj historie shumë-shtresore që është plot me episode të zakonshme, por edhe të ashpra? A mund të na flisni për mënyrën se si u pritën ekspozitat?

“Kino” ishte ndoshta një nga përvojat e mia më të mira deri më tani. Unë mendoj se kjo ndodhi për shkak se kam pasur miq dhe kolegë të vërtetë si partnerë në këtë projekt me besim të ndërsjellë dhe gjithçka shkoi bukur që nga fillimi. Gjithçka filloi kur Aresi nga fondacioni Lumbardhi më thirri një ditë për të pyetur nëse do të isha i interesuar të shikoja në arkivin e kinemasë, ofertë të cilën e pranova menjëherë.

Historia e kësaj kinemaje tregon shumë për historinë e Jugosllavisë dhe se si u zhvillua ndër vite ky proces i shpërbërjes. Gjithashtu kur vëzhgoni materialin mund të tregoni për sfondin e politikës kulturore dhe marrëdhëniet midis shteteve. Ishte një udhëtim i vërtetë në të kaluarën, me të vërtetë më ka pëlqyer. Gjithashtu vlen të përmendet kjo përmbajtje vizuale shumë e pasur e arkivit. Mes shumë dokumentesh burokratike, unë kam gjetur shumë postera filmash nga vitet ‘70, ‘80 dhe 1990. Kjo funksionoi në mënyrë të përsosur me listat e mërzitshme të biletave të shitura në vitet 60-të për shembull.

Shfaqjen e parë e patëm në hapësirën e kinemasë Lumbardhit në Prizren gjë që funksionoi sikur ajo të ishte gjithmonë aty. Më vonë ekspozita udhëtoi për në Beograd dhe ne arritëm ta tregojmë këtë në hollin e Dom Sindicata, e cila është një shtëpi e vjetër e unionit, tani bazë e një banke nga Beogradi. Sipas mendimit tim, këto dy shfaqje treguan në mënyrë të përsosur historinë shumë shtresore, historinë e pasur të kinematografisë në Jugosllavi, nga një kinema e vogël lokale, thellë në jug deri te një prej shtëpive më të fuqishme të unionit në shtet në atë kohë.

Ekspozita juaj në vazhdim në Beograd riprodhon ditarin e luftës të Ratko Mlladiç. A mund të na flisni pak për këtë ekspozitë? Qfarë janë reagimet lokale dhe ndërkombëtare ndaj punës?

Ekspozita sapo u mbyll javën e kaluar, pas dy muajsh qëndrimi hapur dhe u finalizua me një prezantim të një libri arti që e pritëm gjatë dhe tani është koha për t’i mbledhur përshtypjet, por padyshim që kjo ekspozitë kishte ndikim dhe shumë reagime, nga brenda dhe jashtë vendit. Kam punuar për një kohë të gjatë për ta krijuar këtë seri dhe ishte vërtetë e bukur ta shihja të vendosur në muret e galerisë. Kjo u bë me mbështetjen e zyres së Forumit ZFD në Beograd që më mbështetë për një kohë të gjatë dhe u prezantua në Eugster || Beograd, një galeri me të cilën punoj ngushtë në periudhën e fundit. Ekspozita siç e dini përmbante një seri prej 400 vizatimesh, të gjitha të bëra me dorë dhe me ngjyrë në letër, në korniza prej druri, duke krijuar një lloj instalimi pa mbarim që zë të gjithë hapësirën e galerisë. Ekspozita tani është çmontuar, por ne bëmë një libër arti i cili i përmbanë riprodhimet  e të gjitha 400 vizatimeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.