Kategori
Formimi i kombit

Mbi Sosyalist Fecri – Gazetën ‘Agimi Socialist’

Në këtë postim të ‘Formimi i Kombit ’, paraqesim një dokument që hedh dritë mbi një periudhë të stuhishme në historinë e popullit të Kosovës dhe të Maqedonisë. Ky episod në retrospektivë shënon momentin vendimtar në formimin e ndërgjegjes kombëtare turke në Jugosllavinë Socialiste. Teksti i lartpërmendur quhet ‘Gazeta “Sosyalist Fecri” (Agimi Socialist) dhe Marrëdhëniet ndërmjet Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) në Maqedoni dhe në (të ashtuquajturën atëbotë) Kosovë e Metohi’, shkruar nga Milutin Folić dhe botuar në Turqisht në numrin e pesëdhjetë e dytë të revistës Çevren, në 1986. Folić ishte një historian i rëndësishëm i lëvizjes komuniste ndër-luftarake në Kosovë, dhe ka shkruar gjerësisht për këtë çështje. Libri i tij monumental për aktivitetin e hershëm të PKJ-së në Kosovë u botua në 1987 në shqip nga Rilindja si ‘Partia Komuniste e Jugosllavisë në Kosovë 1919-1941’. 

Nga ana tjetër, Çevren ishte një nga revistat më të rëndësishme kulturore të shtypura në gjuhën turke në Jugosllavi. Ishte aktive nga 1973 deri në 1992, prodhoi nëntëdhjetë e dy numra dhe u botua në Prishtinë nga shtëpia botuese, Tan.

Teksti i Folić rrëfen një histori të shkurtër dhe episodike të PKJ-së në Kosovë dhe Maqedoni, nga 1919 deri në 1921, në një kohë kur kundërthëniet kombëtare dhe politike po mpreheshin, për t’u pasuar përfundimisht me ndërprerje nga forcat policore të Mbretërisë së atëhershme të Serbisë. Ai gjithashtu flet mbi pozitën thelbësore që gazeta Sosyalist Fecri mbajti ndër këto luftëra. Sosyalist Fecri, ose Socijalisticka Zora në Serbisht (që do të thotë, Agimi Socialist), ishte gazeta e Partisë Socialiste të Punës së Jugosllavisë (emri i partisë u ndryshua në Partia Komuniste e Jugosllavisë në takimin e dytë të mbajtur në Vukovar, në 1919.) Gazeta ishte publikuar në serbisht, megjithatë, për një periudhë të shkurtër, doli edhe në turqisht (me shkronja arabe).

Sipas Folić, ekzistonte një gazetë tjetër me të njëjtin emër, Sosyalist Fecri, e cila u botua fillimisht dhe vetëm shkurtimisht në vitin 1910, në Kosovë dhe Maqedoni. Në këtë periudhë, organizatat socialiste ishin tashmë aktive në rajon, kryesisht të ndikuara nga Internacionalja e Dytë dhe Social Demokratët Gjermanë. Disa vjet më vonë, kur Social Demokratët Gjermanë morën mbështetje për pjesëmarrjen në Luftën e Parë Botërore, socialistët ndjenë zhgënjim me ‘modelin’ e tyre politik. Vetëm disa vite para kësaj, kongresi socialist i mbajtur në Basel kishte kundërshtuar ashpër luftën imperialiste në Ballkan dhe mbështeste vëllazërinë e popujve kundër të gjitha formave të shovinizmit kombëtar. Ky kërcim, nga të qenit kundër luftës në mbështetjen e saj, ishte shkatërrues për lëvizjet socialiste ndërkombëtare. Sidoqoftë, në mes të luftës, Revolucioni i Tetorit ndërhyri në rrjedhën e historisë, duke ndryshuar koordinatat e politikës dhe duke shpërndarë sasi të mëdha energjie për masat në mbarë botën. Revolucioni ishte gjithashtu i rëndësishëm pasi tregoi që proletariati industrial nuk ishte subjekti i vetëm politik dhe theksoi çlirimin e kombeve të shtypura. Këto ide ishin tashmë në qarkullim kur gazeta Sosyalist Fecri filloi të ribotohej, më 1 shkurt, 1920.

Artikujt në gazetë shkruheshin kryesisht nga anëtarët e partisë, ose nga vendasit që ishin të afërt me partinë. Tekstet elaboronin mbi aktivitetet javore të PKJ-së në Kosovë dhe Maqedoni; masat e dhunshme dhe torturat e kryera nga policia e regjimit serb; varfërinë dhe kushtet e mjerueshme të klasës punëtore dhe të fshatarësisë. Çështja e kombeve të shtypura u ngrit shumë herë, megjithëse, jo në një mënyrë sistematike. Megjithatë, gazeta luajti një rol shumë të rëndësishëm në bashkimin e shumë kombeve kundër shtypësve të zakonshëm. Përveç borgjezisë agresive serbe, një bllok kryesor kundër emancipimit të popullit, ishin pronarët lokalë – siç thekson Folić në artikullin e tij. Këta pronarë mbështetën organizatat më konservatore dhe kompradore borgjeze, siç ishte Cemiyet, të cilët ishin pro bashkëpunimit me shtetin dhe mbetjes së regjimit të vjetër. Këto organizata u sulmuan ashpër në faqet e Sosyalist Fecri.

Në një farë mase, Sosyalist Fecri ishte i suksesshëm në mobilizimin dhe bashkimin e klasave dhe kombeve të shtypura kundër regjimit. Për shembull, shumë njerëz nga rajoni morën pjesë në tubimet e 1 majit në 1919 dhe 1920, duke thirrur parrulla si “Më shumë bukë, më pak polici”. Dita e Majit të vitit 1920 ishte e ngjashme me një provë finale për zgjedhjet lokale që u mbajtën më vonë atë vit. Shumë kandidatë nga PKJ bënë fushatë në Prizren, Pejë, Mitrovicë, Zveçan, Manastir, Shkup dhe Ohër për zgjedhjet lokale. Një broshurë partie nga kjo periudhë lexonte: “Partia komuniste nuk u premton asgjë njerëzve, por u bën thirrje punëtorëve, fshatarëve dhe njerëzve të varfër në qytete dhe në fshatra të luftojnë kundër gjithçkaje që i shfrytëzon …” Folić tregon se si borgjezia dhe pronarët lokalë ishin të frikësuar nga bashkimi i mundshëm midis shqiptarëve, turqve, boshnjakëve dhe maqedonasve. Për shembull, Ethem Bulbulović, një intelektual i respektuar mysliman, ishte një kandidat nga PKJ në Zvecan. Meqenëse ai ishte i aftë të fliste me popullsinë e varfër muslimane dhe jo-muslimane, ekzistenca e tij u pa si një kërcënim nga pronarët.

Një figurë tjetër fetare shumë e rëndësishme që mbështeste PKJ-në ishte: Haxhi Ymer Lutfi Paqarizi. Paqarizi ishte një poet dhe udhëheqës fetar shumë i respektuar i shtëpizës Melami në Prizren. Ai kontribuoi në Sosyalist Fecri me poezinë e tij, ‘Për punëtorët dhe shokët fshatarë’ dhe ndihmoi në shkrimin e manifestit zgjedhor të PKJ-së në Prizren. Në këtë manifest, ai shkroi “Socializmi nuk është asgjë tjetër veç njerëzimi, ai sjell lumturi për njerëzit”. Teksti u shkrua në turqisht dhe në shqip.

Përkundër masave të dhunshme të marra nga regjimi, tre anëtarë të PKJ-së arritën të zgjidhen në rajon: Ilija Krasojevic dhe Milorad Pantić në Prizren; dhe Ethem Bulbulović në Zveçan. Pas zgjedhjeve, regjimi serb, i shqetësuar nga rreziku i perceptuar, rriti ndjeshëm dhunën policore. Vrasja e Zef Lush Markut, një anëtar partie nga Shkupi, në Gjakovë në dhjetor 1920, ishte pika e kthesës. Regjimi nuk pranoi t’o sqarojë ngjarjet e vrasjes. Në të njëjtën kohë shumë anëtarë, përfshirë Ilija Krasojeviç dhe Haxhi Ymer Lutfi Paqarizi, u sabotuan, u torturuan dhe u shtynë në heshtje. Një anëtar tjetër nga Prizreni, Muharrem Taranbaba, u detyrua të internohet. Pas disa javësh, qeveria ndaloi partinë, arrestoi shumë njerëz dhe ndaloi botimin e Socialist Fecri.

Sosyalist Fecri ishte platforma për intelektualët dhe aktivistët më progresivë që shkruanin në gjuhën turke në Jugosllavi, si Ferit Bayram i cili ishte në redaksinë e gazetës. Pas Luftës së Dytë Botërore, puna e kësaj gazete dhe trashëgimia e saj ishte një standard për ndërkombëtarët e ardhshëm si Kemal Seyfullah.

Ende sot, në qendër të Shkupit ndodhet një rrugë e quajtur Socijalisticka Zora / Sosyalist Fecri apo Agimi Socialist, një dëshmi e internacionalizmit të socialistëve në të gjithë Ballkanin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.