Lumbardhi prezanton: MALIBU është një ngjarje unike muzikore që hulumton dhe ndërlidhë përvojat tingullore me ato të filmit, në kuadër të programit LXX që po zhvillohet aktualisht, për ta festuar 70 vjetorin e Kino Lumbardhit.
Për të shënuar këtë rast, Fjolla Hoxha nga Fondacioni Lumbardhi dhe Malibu (Barbara Braccini) biseduan para ngjarjes.
—
FH: Mënjanë interpretimet artistike, me fjalët tuaja, kush është Malibu?
M: Fjalë për fjalë, Malibu jam *unë*, Barbara. Pavarësisht nga emri që mund të tingëllojë ironik e që e kam zgjedhur pa asnjë arsye të thellë, muzika të cilën e shkruaj nën këtë pseudonim më përfaqëson 100%, është si një ditar. Të gjitha historitë që tregoj bartin dhimbjet e mia dhe nostalgjinë.
FH: Performancat tuaja përshkruhen si përvoja tingullore zhytëse, të ngjashme me ndjesinë e detit. Nga vjen marrëdhënia juaj me oqeanin dhe si ndikon kjo në punën tuaj?
M: Unë jam rritur pranë oqeanit, babai im është oqeanolog, ndërsa duke u rritur, dadoja ime kishte kishte obsesionim me delfinët….ndoshta të gjitha këto gjëra shfaqen në mënyrë të pavetëdijshme kur bëj muzikë, nuk jam saktësisht e sigurtë. Unë i stërmendoj gjërat, deri në atë pikë sa të sëmurem, kështu që ndoshta më duhet zhurma organike dhe qetësia e valëve për ta balancuar këtë. Koka ime është e zbrazët kur jam në oqean, gjë që ndoshta përfaqëson ndjesinë e lumturisë.
FH: Si do ta përshkruanit zonën ku takohen dhe ndërveprojnë përvoja muzikore dhe ajo kinematike në performancat tuaja?
M: Nëse themi se pjesa «kinematike» në thelb është aspekti vizual i performancave të mija muzikore, mendoj se ato duhet të ekzistojnë së bashku; njëri mbështetë tjetrin dhe anasjelltas. Muzika mund të jetë intenzive dhe e plotë, dhe shumë vizuale, ajo i fton dëgjuesit të kalojnë disi në një vet ekzaminim, kështu që është e rëndësishme që ajo që ata *shikojnë* ta mbështesë atë që mund ta ndjejnë. Një yll vezullues, një varkë në det të hapur, çkado që të jetë, me shpresë që t’i japë dëgjuesit qetësi dhe kuptim.
FH: A mund të flisni pak për hyrjen tuaj në botën e muzikës dhe çfarë drejtimi po merr rrugëtimi juaj aktualisht?
M: Para disa vitesh, përmes një miku zbarkova nga pasioni, dhe mendoj se gradualisht kjo hapsirë, në thelb u bë jeta ime. Pa e menduar aq shumë, mori drejtimin që mori ndërsa sot, nuk më intereson të bëj këtë apo atë «lëvizje» që të arrij çfarëdo tjetër. Jam e lumtur të shoh se ku shkon rrugëtimi dhe ndoshta dua edhe të befasohem! Emisioni im radiofonik në NTS është i vazhdueshëm, njëfar mënyre “më çon përpara” çdo muaj, kështu që do të shohim se ku shkon edhe kjo rrugë!
FH: A ekziston ndonjë temë apo urgjencë në zhvillim e sipër që dëshironi të trajtoni me punën tuaj në të ardhmen e afërt?
M: Nuk besoj, asgjë e veçantë që më vjen ndërmend. Ndoshta të qenit zemërthyer është ajo që do të më shtyej të vazhdoj të shkruaj muzikë. Zemra duhet të jetë ose bosh ose aq e mbushur, saqë mund të shpërthejë, në mënyrë që unë të kem diçka për të thënë.
Kjo përvojë e mbushur me një atmosferë të veçantë do të paraprihet nga një shfaqje speciale dhe do të pasohet nga një seancë përmbyllëse.
Për të ndjekur ngjarjen, ju lutemi përcillni vegëzën këtu dhe na ndiqni në instagram.
Ngjarje fillon prej orës 20:00 dhe hyrja ofrohet falas.
Ngjarja organizohet me mbështetjen e Raiffeisen Bank në Kosovë dhe Ambasadës Franceze në Kosovë.