Ferit Bajram (1888-1965) është një emër që do ta përmendim shpesh në postimet tona te BLLOGU. Ai ishte një nga intelektualët majtistë turkfolës më me ndikim në Jugosllavi. Ai shkroi dhe botoi alfabetin e parë në gjuhën turke në Jugosllavinë socialiste, në 1947. Aktiv që nga fillimi i shekullit XX, Bajrami ishte mësues, redaktor, shkrimtar, përkthyes dhe aktivist politik. Me përjashtim të një libri të hollë të shkruar nga Kemal Sejfullah, nuk ka shumë literaturë në dispozicion që përshkruan jetën e Bajramit. ‘Devrimci Ferit Bayram’ i Sejfullahut [Revolucionari Ferit Bajram, Tan, Prishtinë, 1978] është libri i vetëm i botuar për të, dhe është tema e këtij blogu. Me këtë postim po e ndajmë edhe një skenim të këtij libri të vështirë për t’u gjetur.
Sejfullahu ishte një shok i Ferit Bajramit, një luftëtar partizan dhe teoricien i nacionalizmit, i cili lexoi eulogjinë në varrimin e tij. Bazuar në ‘Revolucionari Ferit Bayram’ dhe referencat e tij, Altaj Suroj (lindur 1949), një avokat dhe studiues i bazuar në Prizren, xhiroi një dokumentar rreth Bajramit në 1986, dhe kontribuoi në një konferencë mbi rolin e Ferit Bajramit në zbulimin e vrasjes së Zef Lush Markut (në 1985). Lush Marku ishte një aktivist komunist shqipfolës nga Kosova, i vrarë fshehurazi nga policia serbe në vitin 1920 në Gjakovë, ndërsa ishte duke udhëtuar për në Prizren. Bajrami, përmes ndikimit të tij si anëtar i parlamentit – ku u zgjodh përmes biletës së Partisë Komuniste Jugosllave – zbuloi vrasjen dhe bëri presion mbi policinë për ta pranuar përgjegjësinë për vrasjen e rëndë, të cilën ata nuk e bënë kurrë. Marku ishte një nga viktimat e para të terrorit monarkist kundër të majtëve dhe mendimtarëve liridashës, që do të zgjasë deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Së shpejti, me shpalljen e një diktature monarkiste në Jugosllavi (Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve) në fund të vitit 1920, Bajrami humbi postin e tij, dhe imunitetin si anëtar i parlamentit, dhe vazhdoi t’i mbijetojë vitet e poshtërimit dhe shtypjes që më vonë u rishfaqën përsëri, kur veproi si aktivist përbrenda lëvizjes antifashiste në Luftën e Dytë Botërore, tani gjashtëdhjetë vjeç dhe që përkohësisht duke jetuar në Mitrovicë, në Kosovë.
Ferit Bajrami jetoi pothuajse tërë jetën e tij në Shkup, së bashku me Nakije Bajramin, e cila, së bashku me Rosa Plaveva, ishte një nga gratë socialiste të hershme aktive në Maqedoni dhe Kosovë. Politizimi i Feritit filloi me bashkëngjitjen në organizatën revolucionare e Turqve të Rinjë, ‘Ittihat ve Terakki’, në 1908 dhe ishte aktiv në përpjekjet për ta përmbysur fuqinë absolute monarkiste të Sulltanit. I zhgënjyer me pozicionin reaksionar borgjez të ‘Ittihat ve Terakki’ ai u largua nga organizata dhe u përfshi në formimin e partisë së parë Social-Demokratike në Shkup, duke u radhitur në programin e Partisë Socialiste Gjermane. Kjo çoi në politizim të mëtejshëm; një manifestim i 1 majit në vitin 1909, përkthimi i Manifestit Komunist në gjuhën turke, anëtarësimi i tij në federatën e Ballkanit dhe më e rëndësishmja aktivitetet e tij anti-luftë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Pas Luftës së Madhe, Bajrami u bashkua me Partinë Komuniste Jugosllave të sapo themeluar dhe mori pjesë si delegat në kongresin e saj themelor të dytë në 1919, në Vukovar. Ai po redaktonte Socijalisticka Zora dhe Sosyalist Fecri, duke trazuar së bashku me Lush Markun në mesin e popullsisë muslimane në Kosovë dhe Maqedoni; ai ishte aktiv në komunën e Shkupit dhe, si anëtar i Partisë Komuniste, ishte anëtar i parlamentit demokratik jetëshkurtër të Jugosllavisë së Parë.
Ai ishte një produkt i traditës socialiste ballkanike, të ndarë midis tri perandorive të mëdha (osmane, austro-hungareze dhe ruse) dhe kombeve të panumërta të vogla. Këta ishin aktivistë që teorizonin në terren; duke zbuluar, nga e para, një model të ri të organizimit që do të ishte në të njëjtën kohë anti-imperialist, anti-nacionalist dhe anti-kapitalist. Mbi të gjitha këto vështirësi, atyre iu desh të paraqisnin këtë model progresiv të vizionit socialist në gjuhë (turke, shqipe, maqedonase) para një popullsie fshatare analfabete që ishte shumë larg zhvillimeve që ndodhin diku tjetër.
Këto pengesa nuk i frenuan aktivistët. Ferit Bajrami, i pajisur me teori të reja socialiste të konceptimit të kombit, shkroi alfabetin e parë në gjuhën turke në 1947, punoi si këshilltar në Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë dhe vazhdoi të përhapte ide përparimtare midis komunitetit turkfolës në Maqedoni dhe Kosovë deri në vdekjen e tij, në 1965. Puna e tij ndikoi në teoricienët dhe shkrimtarët e ardhshëm në gjuhën turke në Jugosllavi, të tillë si Kemal Sejfullah, Necati Zekerija, Hajrettin Volkan, Mustafa Karahasan, Shykry Ramo dhe të tjerë që vendosën bazat për të gjitha idetë përparimtare dhe socialiste pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë gjithashtu, kuptimin demokratik dhe barazitar të çështjes kombëtare.