Kategori
Kinofigurimi

Kinofigurimi

Shkëputja e mësipërme, pjesë e një artikulli të botuar në revistën Përparimi në vitin 1964, adreson situatën në frontin kulturor të procesit të modernizmit në Kosovë. Në këtë tekst, shkrimtari Rexhep Zogaj thekson “ritmin e ngadaltë të kinofikimit” në rajon, në krahasim me fushat e tjera kulturore dhe arsimore. Atëkohë, zhvillimi i kinemasë ishte pothuajse sinonimik me zhvillimet e tjera shoqërore dhe kulturore në vend; po të shkoje në kinema, të ofrohej një biletë për bashkëkohësi. Kjo periudhë poashtu shënon një kontekst shoqëror në të cilin kinemaja shihej si mjet didaktik – jo vetëm mjet argëtimi – i mobilizuar lehtësisht për vetë-edukim ose propagandë.

Por, kinemaja dhe “kinofikimi” nuk janë më kultura mbizotëruese të kohës në të cilën po jetojmë. Për më tepër, mosgatitshmëritë neoliberale për ta mobilizuar kinemanë për qëllime tjera pos biznesit dhe fitimit kanë ndikuar që kinemaja të transformohet dhe privatizohet dukshëm. Historia e Kinemasë Lumbardhi është shembull i mirë i transformimeve të tilla: nga një kinema masive dhe moderne në një qytet tradicional dhe konservativ, ajo u shndërrua në një ndërtesë pothuajse arkaike në mes të një sfere publike gjithnjë e më të privatizuar. Andaj në një mikro-nivel, historia e kësaj ndërtese i pasqyron më së miri ndryshimet shoqërore, teknologjike dhe politike të atëhershme. Ndonëse pamja fizike e ndërtesës nuk ka ndryshuar edhe aq, relacioni i njerëzve me të ka ndryshuar vazhdimisht me kohën. Kjo na bën të pohojmë se kinemaja si marrëdhënie shoqërore dhe filmi si formë kulturore janë organikisht të lidhura me transformime më të gjera historike. Nuk është vetëm se për të kuptuar kinemanë, duhet kuptuar historia por dhe anasjelltas; për të kuptuar historinë, duhet kuptuar kinemaja.

Kjo është paradigma që inicioi këtë seri te BLLOGU, drejtë ndjekjes së një hetimi të hapur për të kuptuar dhe ndërhyrë në konfigurimin politik dhe artistik të kinemasë si dhe ndërthurrjen e saj në kontekstin e Kosovës. Ideja është të kuptojmë se si mendohej dhe praktikohej kinemaja në momente të ndryshme konkrete përgjatë kësaj historie. Duke qenë të vetëdijshëm se format kulturore nuk janë asnjëherë të izoluara e as të kufizuara në një kontekst kombëtar a gjeografik, kjo seri do të sjellë tekste dhe përkthime që do të na ndihmojnë ta pozicionojmë këtë histori në kontekst ndërkombëtar. Kërkimi poashtu do të përfshijë ese, artikuj, intervista, përkthime, interpretime filmash, riprodhime arkivore, kritika dhe kujtime.

Ky hulumtim nuk është as nostalgji për kinemanë e së kaluarës e as një thirrje për “ditët e vjetra të mira”. Më shumë ka të bëjë me prezantimin e  momenteve të harruara të një të kaluare të lënë pas dore dhe konfigurimin e kësaj marrëdhënieje me botën bashkëkohore. Teksa shkruante se si bota bashkëkohore duhej kuptuar, intelektuali i njohur peruan Jose Carlos Mariáteugui sugjeronte që mënyra më e mirë për ta kuptuar dhe komunikuar kohën tonë është që mbase ta shohim atë pak si gazetareske dhe pak si kinematografike, por jo si një pamje panoramike statike. Prandaj, qëllimi i kësaj serie nuk është ta paraqesë atë që ka ndodhur në histori por të thellohet dhe t’i analizojë momentet kritike në mënyrë që t’i nxjerrë qëndrimet subjektive të përbrendësuara përkundër kushteve objektive. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.