Kategori
Tjera

Një hapje e re për Lumbardhin

Tek e presim edhe një mbyllje drejt fundit të këtij viti të pazakonshëm, është freskuese të flasim për një hapje, në veçanti te Lumbardhi, që ka pasur shumë momente e shkallë të hapjes gjatë viteve të fundit, në rrugëtimin drejt shëndrrimit në një institucion që jeton. Ky moment po ashtu na ofron një rast për të reflektuar mbi këtë rrugëtim, për ta vënë në kontekst këtë platformë të re dhe kahjen e Lumbardhit.

Iniciativa që doli si përgjigje ndaj tentativës për ta privatizuar dhe rrënuar Kino Lumbardhin dëshmoi që angazhimi qytetar ndalon procese shkatërruese dhe inicon procese konstruktive kolektive që krijojnë hapësira, institucione dhe ide të përbashkëta. Fondacioni Lumbardhi është trashëgimi dhe produkt direkt i kësaj iniciative. I themeluar për t’i ndjekur kërkesat dhe qëllimet fillestare të saj, ai i ka vendosur në dialog hisedarët dhe komunitetet për ta rindërtuar një institucion që i përgjigjet kontekstit të vet dhe kohërave tona. 

Kur si themelues të organizatës, i morëm çelësat dhe e hapëm kinemanë në vitin 2015, nuk do të mund ta imagjinonim situatën që e kemi sot: Jo që do të ndryshonin katër qeveri dhe që do të duhej një vendim i Gjykatës Kushtetuese para se Kino Lumbardhi të bëhej pronë publike. As që rijetësimi i plotë i ndërtesës do të fillonte tek në vitin 2022. Mirëpo, arritëm deri këtu duke ndërtuar marrëdhënie të sinqerta me bashkëpunëtorë, organizata, përdorues të hapësirës dhe përkrahës të përkushtuar. Ata iu përgjegjën domosdoshmërisë së angazhimit afatgjatë për arritjen e misionit themelues të Lumbardhit. 

Duke e trajtuar procesin si një kërkim të hapur dhe përvojë të të mësuarit, ne u njoftuam me situatën, diskrepancat si dhe mundësitë e gjendjes në zhvillim e sipër të qeverisjes dhe infrastrukturës kulturore në Kosovë. Duke marrë pjesë në debatet vendore e ndërkombëtare për institucionet kulturore, kemi vënë në pyetje rolin e tyre të mundshëm në një proces të vazhdueshëm të shtet-ndërtimit dhe ndryshimeve shoqërore të përshpejtuara.  

Sfidat dhe gjendja e solidarizimit të nxitura nga COVID-19 na bënë edhe më të vetëdijshëm për rëndësinë e artistëve, punëtorëve kulturorë dhe institucioneve në ballafaqimin me paqartësitë e këtyre kohërave si dhe nevojën për të punuar së bashku rreth formësimit të një të ardhmeje të drejtë, të qëndrueshme dhe të jetueshme. Në këto rrethana të kufizimeve të shkaktuara nga masat si dhe renovimi në ardhje, Lumbardhi ka nisë zhvendosjen e fokusit nga hapësira për ta rishikuar vizionin e tij. 

Me kërkimet, programet dhe publikimet në njërën anë, e proceset kolektive të avokimit dhe instituimit në anën tjetër, Lumbardhi synon t’i zbusë kufijtë mes artit, teorisë dhe praktikës, duke kërkuar mjete të reja për t’i kuptuar këto kohëra dhe duke testuar parametra të ri për zhvillim në rrethin e vet dhe ekosistemin e gjerë qytetar. Kjo hapje është një mënyrë e re e të bashkuarit, hapje ndaj thellimit të marrëdhënieve me individë dhe institucione, ndarjes së njohurive, përvojave dhe burimeve, si dhe krijim i hapësirave të reja për zhvillim të këtyre bisedave. 

Në hapin e parë të kësaj faze, po e lansojmë platformën BLLOGU, të menduar nga ekipi i kërkimit dhe programit të Lumbardhit për t’i bërë të qasshme pjesët e kërkimeve dhe programeve për publikun dhe për t’i hapur ato për diskutim. Inicuar si platformë eksperimentale, BLLOGU do të ftojë artistë, hulumtues e lexues që të angazhohen me temat aktuale dhe të ardhshme kërkimore si dhe me programet e Lumbardhit. Filluar me artikuj javorë nga projektet kërkimore “Kinofigurimi” dhe “Formimi i Kombit” si dhe tinguj nga “Ditari i Dëgjimit”, program që e hijeshoi Kino Bahçen në verën pandemike, BLLOGU do të zgjerohet dhe formësohet me reagimin e kontribuesve dhe të publikut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.