Kategori
Ditari i dëgjimit

Një arkiv i listave të dëgjimit

Shpalosja e përmbajtjes programore të Lumbardhit në BLLOGU do të shoqërohet nga ‘Ditari i Dëgjimit’, një përbërës i programit muzikor publik ‘Variacionet e Dëgjimit’ i cili u zhvillua në Kino Bahçe gjatë verës së vitit 2020.

‘Variacionet e Dëgjimit’ mori hov nga nevoja e aktualizimit të procesit të dëgjimit aktiv të cilën e artikuluan kuratorët e muzikës Agona Shporta, Tevfik Rada dhe Fjolla Hoxha, si një kritikë ndaj neglizhencës së kësaj forme arti dhe thirrjes për t’i kushtuar vëmendje një dëgjimi më të thellë të muzikës në hapësirat publike.

“Sa muzikë është shumë muzikë, aq sa nuk e vërejmë më praninë e saj? Muzika është gjithmonë akute në supermarkete, kafene, bare, dyqane deri në atë pikë sa të bëhemi imunë ndaj këtij zakoni të dëgjimit. Ne rrallë i kushtojmë vëmendje asaj që po luan në prapavijë dhe atë e trajtojmë si argëtim në vend të artit.”- ishte arsyetimi për ta nisur këtë projekt.

Frymëzimi për të ri-menduar mënyra aktive të dëgjimit gjeneroi një program me tri pjesë që u përqëndrua në forma të ndryshme të përjetimit të tingullit, brenda kufizimeve që imponoi pandemia.

‘Sës-mës’ ishte përbërësi që synonte t’u jepte vizitorëve të Lumbardhit orë të qeta, një hapësirë ​​për të reflektuar dhe për t’u relaksuar, pa imponuar një disponim përmes muzikës. ‘Ditari i Dëgjimit’ promovoi dëgjim aktiv dhe krijoi hapësirë ​​për të vërejtur artistë të ndryshëm muzikorë, koncepte, harmoni zëri, ritme të ndryshme dhe detaje të tjera muzikore. ‘Tingujt në Lëvizje’ solli inçizime të koncerteve nga zona të ndryshme kohore dhe hapësinore.

BLLOGU do t’i akomodojë shtatë lista të dëgjimit që janë përzgjedhur veçanërisht nga muzikantët vendas. Nga tingujt e Khoras nga Afrika Perëndimore, stili Mughan i Azerbajxhanit me instrumente të tilla si Tutek, Zurna, Balaban, Kamancha, tek bashkëdyzimi indian i Raga-s me xhez dhe filma të Bollywood-it, teknikat kantautoriale të Kroacisë, vokalet dhe ritmet emocionuese të Venezuelës në tambora dhe Cuatro, Muzika Okinawa e Ishujve Ryukyu e shoqëruar nga Sanshin me tre tela si dhe pjesë nga bota klasike shpesh të keqinterpretuara si muzikë serioze.

Me shpresën që pranvera e ardhshme të mundësojë më shumë takime personale me muzikantë nga bota, ju urojmë një dëgjim të këndshëm të ditarëve tanë të dëgjimit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.