Postimi i parë hulumtues i projektit ‘Formimi i Kombit’ është një artikull i gjatë dhe shterues i turkologut Ismail Eren (1923-1993) mbi historinë e shtypit turk në Jugosllavi. Botuar fillimisht si “Turska Štampa u Jugoslaviji” (1866-1966), për herë të parë u shfaq në revistën me qendër në Sarajevë “Prilozi za Orijentalnu Filologiju, numri 14-15”, më 1964. Më vonë, u shfaq në gjuhën turke në revistën “Sesler”, me qendër në Shkup (“Jugosllavia Topraklarında Türkçe Basın 1866-1966”, II: 9, 1966), dhe në një version të përpunuar, në fund të viteve tetëdhjetë, në të njëjtën revistë (“Jugosllavia’da Türkçe Basın 1866-1986 ”, Sesler Nr. 237). Versioni i fundit është përkthyer gjithashtu në frengjisht si “La Presse Turque en Yugoslavie” më 1992 (në N. Clayer, A. Popovic, Th. Zarcone, Presse Turque et Presse de Turquie, ISIS / IFEA, Stamboll / Paris).
Ismail Eren ishte një dijetar nga Maqedonia, i cili jetoi dhe punoi në Stamboll. Teksti që po paraqesim këtu është botuar në Bosnjë, në gjuhën serbo-kroate. Kjo trajektore tashmë u jep një bazë objektivave të projektit tonë që ka për qëllim studimin e formimin të nacionalizmit përmes institucioneve konkrete politike që ishin në të vërtetë ndërkombëtare. Gjatë Jugosllavisë socialiste, Eren kontribuoi me shumë kërkime mbi modernizimin e vonë osman, jetën urbane dhe disa artikuj shumë të vlerësuar të kërkimit folkloristik.
Artikulli i Eren mbi shtypin në Jugosllavi përdor aparatin shkencor dhe studimin rigoroz arkivor, duke dhënë një përmbledhje të revistave, gazetave dhe botimeve periodike të shtypura në gjuhën turke në Maqedoni, Kosovë, Serbi, Bosnjë dhe Kroaci. Përveç dhënies së një përshtypjeje mbi pasurisë dhe shumëllojshmërinë e materialeve të shtypura në gjuhën turke në Jugosllavi, artikulli përshkruan kontekstin e këtij prodhimi në hollësi, duke u bazuar në ankesat e Eren mbi atë se si shtypi turk në Jugosllavi ishte më pak pjellor dhe interesant si ai në Bullgari dhe Greqi. Artikulli na bën të vetëdijshëm se këto botime periodike të botuara në gjuhën turke në Jugosllavi duhet të vështrohen nga këndvështrimi i ndërlidhjes së tyre shoqërore dhe politike. Intensifikimi i botimit të gazetave dhe revistave pas Epokës së Dytë Kushtetuese (İkinci Meşrutiyet), që nisë pas revolucionit të turqve të rinjë më 1908, është një nga temat me të cilat merret autori, duke theksuar veçanërisht efektin e modernizimit të shtypit që u bë i dukshëm me lehtësimin e legjislacionit të censurës dhe liberalizimin e kontrollit të centralizuar. Ky modernizim i veçantë dhe shumë kontradiktor pas Perandorisë, i cili në Jugosllavi zgjati pothuajse deri në Luftën e Dytë Botërore, përfshiu botimin e dhjetëra revistave periodike si Tarik, Muallim dhe Misbah, të shkruara me shkronja të vjetra turke (arabe) por duke përdorur gjuhën serbo-boshnjake. Kjo përzierje e re kontribuoi në një popullarizim të paparë të materialit të shtypur, siç shkruan Eren, duke rezultuar në ribotimin e të disa revistave nga katallogu i vjetër. Një rezultat tjetër i këtij kombinimi të çuditshëm, pos letërsisë serbe të shkruar me shkronja arabe, ishte shfaqja e stilit të ri të quajtur arebica, ose matufovica, që vjen nga fjala ‘matuf’, që në arabisht që do të thotë i vjetër, por në gjuhën e folur përdoret për të përcaktuar shprehje si ‘kokë e këmbë’, budalla, diçka e çuditshme, e hareshme. (Vitet e fundit në Bosnjë ka përpjekje për ta ringjallur këtë variant të shkrimit të gjuhës boshnjake, si për shembull përmes një libri të vizatuar të quajtur “Hadži Šefko i Hadži Mefko” në 2005, mbështetur nga blogu New Muslim Kids- Fëmijët e rinjë muslimanë).
Siç thekson edhe vetë Eren, ekzistonin shembuj mjaftë të gjerë të kësaj historie të trazuar. Për shembull, revista të botuara nga ‘Ittihat ve Teraki’ me tituj shumë të çuditshëm të militarizuar si Silah, Hançer, Bıçak, Bomba [Armë, kamë, thikë, bombë], botuar në Shkup dhe Manastir, Top [Gjylja] dhe Kurşun, Süngü, Kasatura [Plumbi, Bajoneta, Shpata], të gjitha shtyp i opozitës, dhe shpesh në konflikt me partitë në pushtet.
Ka shumë rezultate të tjera të pazakonta të botimeve të orientuara politikisht. Ndoshta ndër më të errëtat nga të gjitha është Doğu ve Batı: Kültür, iktisat, sosyal ve politikı mecmuası (Lindja dhe Perëndimi: Revista e kulturës, ekonomisë, shoqërisë dhe politikës), botuar në Zagreb, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si një projekt botues, Doğu ve Batı është një anomali e pastër historike. E njohur si revista e parë e botuar në gjuhën turke në Kroaci, dhe revista e parë në gjuhën turke me shkronja latine e botuar në Jugosllavi, ekziston në tetë numra të botuar midis viteve 1943 dhe 1944. Ishte një projekt i pasuksesshëm dhe i pezulluar i regjimit të ustashëve të qeverisë NDH [Nezavisna Država Hrvatska/Shteti i pavarur i Kroacisë, aktiv mes 1941-1945], që u përpoq ta përdorte këtë revistë si platformë për diplomacinë kulturore, për ta tërhequr borgjezinë në pushtet të Turqisë drejt njohjes së pavarësisë së Kroacisë fashiste.
Artikulli i Eren është gjithashtu burim i mirë për ta dhënë fotografinë e rrjetit të fortë të veprimtarive botuese brenda rajoneve të ndryshme Jugosllave dhe të vilajeteve të asokohshme të Ballkanit, që gjithashtu kishin dimensione politike. Disa nga këto revista ishin më jetëgjata, si për shembull, Kosova (numri i parë i botuar më 1877) ishte aktive për 35 vjet, dhe Manastiri (numri i parë i botuar më 1885) ishte aktiv për 28 vjet. Këto aktivitete botuese brenda vilajetit kërkonin një platformë shumëgjuhëshe, e cila gjithashtu ishte mënyra përmes së cilës botohej shumica e këtyre publikimeve. Siç demonstron bindshëm Eren, përmbajtja dhe forma e këtyre botimeve ishin vërtet shumëgjuhëshe dhe trans-nacionale; ato u botuan në serbisht dhe turqisht (si Bosna, Prizren, Neretva), shqip dhe turqisht (Üsküp / Shkupi në Shkup, Ittihad-i Milli / Bashkimi i Kombit, në Manastir). Në Ballkan, kishte shembuj edhe më të ndryshëm, të tillë si gazeta Edirne, që në çdo faqe përfshinte tekste në gjuhën turke, bullgare dhe greke, ose Selanik, botuar midis 1869 dhe 1871, që përveç turqishtes, greqishtes dhe bullgarishtes përfshinte edhe tekste gjuhësore në hebraisht.
Në të njëzetat, shtypi në turqisht u zhvillua në platforma politike më të qarta të partive të ndryshme politike; Sada-yi Millet, i Partisë Radikale Konservatore dhe të djathtë (1927-1929), Işık, i Partisë Demokratike liberale / Zajednica (1927-1928), dhe më jetëshkurtra, por padyshim më progresivja nga të gjitha ishte Sosyalist Fecri (botuar vetëm në trembëdhjetë numra të pamundur për t’u gjetur, në vitin 1920). Pas diktaturës në vitin 1929 të vendosur nga mbreti Aleksandër I, mbreti i serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, të gjitha partitë dhe i gjithë shtypi, duke përfshirë pothuajse të gjithë shtypin në gjuhën turke, u ndaluan në Jugosllavi. Gjëja tjetër e shtypur në turqisht në atë atmosferë tepër konservatore dhe shtypëse ishte një gazetë e botuar nga Komuniteti Islamik i Maqedonisë i quajtur Doğru Yol / Pravi Put (në Turqisht dhe Serbisht). Ndjekja ishte gjithashtu një gazetë me moral të ngjashëm fetar oportunist të quajtur Muslimanska Sloga, botuar në 1940, në prag të luftës.
Teksti përfundon kur fillon periudha e socializmit, që ka prezantuar edhe më tej zgjerimin e veprimtarive botuese, veçanërisht të librave, me përmbajtje edhe më të larmishme. Eren shkurtimisht përmend se gjatë Luftës së Dytë Botërore, në 1944, në Shkup, shfaqet gazeta në gjuhën Turke e Ballit Kombëtar e quajtur Birlik (Uniteti), e cila pas çlirimit u pasua me botime të tjera të Socijalistički Savez Radnog Naroda (Aleanca Socialiste e Njerëzve të Punës të Jugosllavisë), Pioner Gazetesi (Gazeta Pioniere), Yeni Kadın (Gruaja e Re), Tomurcuk (Lulëzimi), Sevinç (Gëzimi) dhe Sesler (Zërat).
Jeta e re e gjuhës turke në shtyp, në Jugosllavinë socialiste, fillon me këto fara, të cilat do të jenë tema e postimeve të tjera në këtë blog.