Kategori
Kinofigurimi

‘Dera e Bistricës: një kronologji e shkurtër’ nga Bengi Muzbeg

Pas Luftës së Dytë Botërore, Prizreni kishte vetëm 20.000 banorë. Motivimi që solli fitorja kundër fashizmit dhe lufta e ideologjisë socialiste për vetëdijen e masave, shtyu zhvillimin e kinemasë e cila shihej si një mjet didaktik “i rrezikshëm”. Gjatë luftës, shfaqjet e filmave që filluan në Prizren rreth vitit 1926 [1], u ndalën. Regjimi jugosllav, i cili dëshironte ta përhapte kinemanë si një mjet për “ndërgjegjësim” masiv në të gjithë vendin, shpronësoi shtëpinë e familjes Petkoviç e cila ndodhej në mes të Prizrenit. Shtëpia kishte 2 kate, 3 dhoma sipër, 3 dyqane në katin përdhesë, gjithsej 219 m2. Më 24 maj 1950, me gjithë 253 m2 të kopshtit të saj, shtëpia u shpronësua dhe u shkatërrua. Në vend të saj, më 1 Shkurt 1952, ndërtesa e kinemasë Bistrica me kapacitet prej 700 ulësesh, hapi derën e saj për publikun.

Që nga ajo ditë, ky qytet tradicional dhe konservativ posedonte një kinema të ndërtuar nga shteti. Dera e kinemasë shikonte drejtë lumit, duke provokuar modernizimin e qytetit. Drejtuar kah ura e gurit dhe Shadërvani, dera kishte konotacion imagjinar dhe kognitiv po aq sa edhe fizik. Nga njëra anë, motivet tradicionale po riprodhoheshin “jashtë derës”; dhe nga ana tjetër, pamjet “e pafrenueshme” në lëvizje dhe “brenda derës”, po ndryshonin vazhdimisht, në 24 korniza për sekondë. Këto dy realitete ishin në konflikt të vazhdueshëm.

Me kalimin e kohës, popullsia e qytetit u rrit. Një kinema-kopsht u hap pranë ndërtesës dhe një rrugë u ndërtua midis kinemasë Bistrica dhe lumit Bistrica. Kështu, njerëzit që donin të blinin bileta dhe makinat që donin të kalonin nëpër rrugë, u gjendën në përplasje mes vete.

Me anë të kësaj, dy elementet më të rëndësishme të modernitetit, “kinemaja” dhe “rruga”, u ndeshën ballë për ballë: Kinemaja veproi më bujarisht në këtë rast të veçantë.

Më poshtë zbulohet raporti i parë i cili arriti në administratën e ndërtesës së Bistricës, për mbylljen e derës që shikonte kah jugu.

Më 23.07.1965, shkruar nga drejtori i Sekretariatit të Çështjeve të Brendshme në Prizren. Në raportin e titulluar “Masat që duhen marrë për sigurinë e publikut të kinemasë”, thuhet se dera e kinemasë që hapet në rrugën Mose Pijade duhet të mbyllet, që turma e formuar në hyrje të derës të mos e ndërpresë trafikun dhe të mos rrezikohet siguria e njerëzve në pritje. Nëse nuk ndërmerret asnjë hap, veprimet e nevojshme për t’i ndaluar aktivitetet e kinemasë do të kryhen nga Sekretariati i Punëve të Brendshme.

Më 22.09.1965, në raportin e dërguar nga Sekretariati i Punëve të Brendshme, u theksua se masat e marra nga kinemaja Bistrica gjatë 2 muajve të fundit ishin të kufizuara në ndryshimin e drejtimit të hapjes së derës (nga jashtë në brenda) dhe se këto masa nuk ishin të mjaftueshme. Në tekstin e vendimit, u nënvijëzua se nëse rregulloret e kërkuara nuk zbatohen brenda 1 muaji, aktivitetet e kinemasë Bistrica do të ndalen.

Ndërsa jemi dëshmitarë të retorikës në vazhdimësi të Ministrive të Brendshme dhe organizatave të tyre të lidhura në dokumentet e datës 1965, vërrejmë se si çështja e “interesit kombëtar”, e cila funksionon si një mjet legjitimimi, është instrumentalizuar në procesin e ndryshimit të derës.

22.10.1965. Menaxhmenti i kinemasë Bistrica u përpoq ta ndryshonte derën duke tentuar së pari që ta shkatërronte shtëpinë e fqinjes Shemsije Kovaçi, për ta zhvendosur hyrjen e kinemasë atje. Një banesë me vlerë prej 6 milion dinarësh iu ofrua familjes në këmbim të shpronësimit të shtëpisë së tyre. Shemsije Kovaci, e cila refuzoi propozimin, më pas dërgoi burrin e saj, Xhevat Kovaçi, në Komunën e Prizrenit dhe Drejtorinë e Çështjeve të Strehimit për të shprehur mendimin e familjes për këtë çështje. Në deklaratën e tij, Xhevat Kovaci theksoi se “ata nuk do të kundërshtonin nëse shpronësimi i shtëpive të tyre do të ishte një veprim i planifikuar brenda fushës së “interesit kombëtar”. Por nëse shtëpitë e tyre do të jenë e vetmja pasuri që do të shpronësohet, vazhdoi ai, ata do të ishin kundër këtij vendimi dhe do të prisnin që menaxhmenti i kinemasë të pajtohej me ta.

08.11.1965. Situata u përmblodh në letrën e dërguar kinemasë Bistrica nga Komuna e Prizrenit dhe Drejtoria e Çështjeve të Banesave ku u deklarua se shpronësimi i shtëpisë së Shemsije Kovaçit nuk ishte në përputhje me interesin kombëtar dhe se çështja u konsiderua brenda fushës së interesit financiar të kinemasë Bistrica.

Më 22.11.1965, Menaxhmenti i Kinemasë Bistrica përmblodhi përpjekjet që kishte bërë deri më tani për ndryshimin e hyrjes së derës. Ata deklaruan se ishin të pasuksesshëm në këtë drejtim dhe ftuan të gjithë autoritetet përkatëse të ndërmarrin iniciativë dhe të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje. Në të njëjtin artikull, gjithashtu u shpreh se mbyllja e kinemasë së vetme në Prizren do të kishte efekte shumë negative sa i përket jetës kulturore dhe artistike. Për më tepër, suksesi dhe gjallëria e siguruar nga kinema Bistrica u shpjegua dhe u shtua në tekst.

13.12.1965 – Artikulli i fundit në 1965 me temën e ndryshimit të hyrjes së derës së kinemasë Bistrica u shkrua nga Muhamed Shukriu, Drejtori i Komunës dhe Çështjeve të Banesave të Prizrenit. Shukriu paraqiti dy alternativa në artikullin e tij, e para prej të cilave ishte shpronësimi i shtëpive të familjes Kovaçi. Ai theksoi se kjo mund të bëhet vetëm në marrëveshje me pronarët. Si një alternativë e dytë, u shpreh se disa dyqane dhe shtëpi, të cilat ishin shpronësuar më parë, mund të shkatërroheshin në rrugën Ramiz Sadiku. Në rastin e këtij të fundit, u tha që shpenzimet e shpronësimit do të mbulohen nga buxheti i komunës dhe se vetëm dera e hyrjes dhe zyra e biletave duhet të ndërtohen nga kinemaja Bistrica.

Në raportin e shkruar nga administrata e kinemasë Bistrica – datë 22.04.1966 – për Njësinë e Çështjeve Komunale të Prizrenit, thuhej se dera me pamje nga jugu do të mbyllet dhe dera e re do të hapet në anën lindore, në përputhje me vendimin e Sekretariatit të Brendshëm. Leja ishte aplikuar për asamblenë dhe ndërtimin e zyrës së biletave.

Artikulli i fundit për këtë temë në arkivin e Lumbardhit është ky raport i kërkesës për leje. Shihet se dy propozimet alternative të sugjeruara nga Shukriu u zbatuan dhe drejtimet e hyrjes së ndërtesës së kinemasë u ndryshuan në lindje. Hyrja e derës e përdorur nga kinemaja Lumbardhi sot është e njejta hyrje e hapur në 1966. [2]

Kuptimi i derës me të cilën ne jemi në kontakt me dhjetëra apo edhe qindra herë në jetën e përditshme, është në të vërtetë shumë më abstrakt dhe politik sesa jemi të mësuar të mendojmë. Ndërsa dera ofron privatësi dhe siguri për njerëzit; nga ana tjetër ajo ofron liri. Sepse ju mund të përjetoni “botë” të tjera përmes portave.


[1] Brenda fushës së hulumtimit që kemi bërë deri më tani në arkivin e Kinemasë Lumbardhi, data më e hershme e shfaqjeve të filmave në Prizren është 1924. Këto të dhëna do të korrigjohen nëse gjenden informacione të reja gjatë hulumtimit në vazhdim.

[2] Dera që përdoret sot u ndryshua kohët e fundit (në vitin 2020). Ne nuk kemi informacion më të hollësishëm nëse një derë tjetër ishte instaluar para se dera të ndryshohej në vitin 2020 (pas 1966).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.