Kategori
Formimi i kombit

Formimi i Kombit, jehonat e ideologjisë nacionale turke në ish Jugosllavi

Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada, sociologë nga Prizreni, përballen me kulturën bashkëkohore të lëvizjeve artistke dhe politike duke inicuar ‘Formimi i Kombit’’, një studim lidhur me formimin e identitetit nacional turk gjatë Jugosllavisë socialiste.

‘Formimi i Kombit’ hulumton mënyrat përmes të cilave komunitetet turkfolëse në Jugosllavi, më saktësisht në Maqedoni dhe Kosovë, e perceptojnë identitetin e tyre kombëtar gjatë periudhës socialiste.  Gjthashtu, duke e studiuar këtë periudhë të historisë së afërt, do të mundësohet zbulimi i aspekteve të reja të socializmit dhe nacionalizmit, veçanërisht se si ato kanë qenë të ndërthurrura në rrjetin kompleks të projektit të modernizimit të Jugosllavisë socaliste, që nënkuptonte emancipimin nga kufizimet tradicionale dhe ato të shoqërisë feudale. Qëllimi i projektit është që rrjeti i modernizimit të çthurret nga qasjet mjegulluese të cilat e mistifikojnë nacionalizmin dhe që të shpërfaqen dinamikat konkrete dhe strukturat e përfshira në krijimin e kësaj historie e cila jehon deri në ditët e sotme. 

Duke u bazuar në burime të shtypura, fusha e hulumtimit i mbulon prodhimet kulturore, artistike dhe intelektuale në gjuhën turke në Kosovë dhe në Maqedoni nga viti 1945 deri në 1991. Argumenti rrënjësor i hulumtimit bazohet në teorinë e cila shpalosë se vazhdimësia e ideologjive nacionale mund të gjurmohet në efektet materiale të lidhura me institucione të caktuara politike.  Qëllimi ynë është që të zbulohen këto institucione ekzistuese dhe të diskutohet rëndësia e tyre në përfytyrimin e nacionalizmave (qëllimisht në shumës).  Përmes kësaj, hulumtuesit pohojnë që nacionalizmi nuk ekziston në vete, thënë me fjalë të tjera, nuk e jeton jetën e vet në mënyrë të pavarur në sferën e simboleve. Nacionalizmi apo identitetet nacionale mund të ekzistojnë vetëm përbrenda institucioneve konkrete, pra nacionalizmi gjithnjë frymon përmes institucioneve.

Hipoteza e përgjithshme e punës së këtij projekti argumenton përvijimet e nacionalizmit. Kështu, në vijim të çasjes teorike, hulumtuesit Boynik dhe Rada do ta shqyrtojnë edhe aspektin aktivist të studimit të tyre, që nënkupton pikën në kufi të nacionalizmit. Duke i vënë në dukje këto kufizmime dhe forma të nacionalizmit, caku përfundimtar është marrja parasysh e formave të reja të solidaritetit në komunitet që i tejkalon veçantitë e identiteteve etnike. Dy tezat fundamentale që i hulumton ky studim janë: 

·     Ndërthurrja e nacionalizmit turk në Jugosllavi me institucionet ideologjike dhe politike të socializmit. Kjo nënkupton ekzistimin e një kontradikte të qenësishme me atë që nënkuptohet si lokale, etnike dhe elementet kombëtare përbrenda institucioneve multinacionale socialiste në Jugosllavi. Ky diskutim fundamental e ka përcaktuar nacionalizmin turk në Jugosllavi. 

·     Përveç kontradiktave ideologjike dhe politike, kjo formë jo e barabartë nacionale gjithashtu lidhet me procesin e modernizimit. Duke e studiuar këtë fenomen, mundësohet një kontribut në parashtrimin e pyetjeve sociale më të gjera që ndërlidhen me modernizimin në Kosovë dhe në Maqedoni.

Në fazat fillestare të projektit, për shkak të kufizimit të imponuar nga pandemia aktuale dhe mbyllja globale, përqëndrimi bëhet në diskutimin e dokumenteve ekzistuese që janë qenësore në formimin e identitetit kombëtar turk gjatë socializmit. Këto dokumente janë studime shkencore, artikuj, ese, raporte statistikore, materiale bibliografike, libra mësimi të popullarizuar, udhëzues të qyteteve dhe kujtime të publikuara gjatë Jugosllavisë socialiste. Çdo javë do të bëhet publikimi i një dokumenti nga ajo periudhë, bashkë me një prezantim të shkruar nga hulumtuesit.  

Ky do të jetë një projekt dy vjeçar, përfshirë një studim të përpiktë të dokumenteve ekzistuese, hulumtime në arkivat private dhe publike dhe intervista me protagonistë të përfshirë në formimin e ideologjisë nacionale turke në Jugosllavinë socialiste. 

Duke filluar nga viti i ardhshëm, projekti do të rezultojë me botimin e një serie broshurash të cilat merren me një aspekt të veçantë të specifikës së formimit kombëtar turk në Jugosllavi. Përveç botimeve, projekti përmbanë diskutime të organizuara, ligjerata dhe ekspozita që e adresojnë rëndësinë e këtyre dinamikave historike në kontekstin e sotëm të zhvendosjes së identiteteve kombëtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.